Ekonomia u rrit me 3,75 për qind në tremujorin e tretë, e nxitur nga administrata dhe shërbimet
Ekonomia shqiptare ka vijuar rritjen edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, me një zgjerim vjetor prej 3,75%, të mbështetur kryesisht nga shërbimet, shpenzimet publike dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme.

Shërbimet dhe shpenzimet publike, motorët kryesorë të rritjes
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT, struktura e rritjes ekonomike gjatë tremujorit të tretë dominohet nga sektorët jo-prodhues. Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia dhanë kontributin më të madh në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto, me +1,68 pikë përqindje, duke reflektuar zgjerimin e shpenzimeve publike dhe aktivitetit institucional. Në vijim, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor kontribuan me +0,62 pikë përqindje, si efekt i vijimit të sezonit turistik dhe rritjes së konsumit të shërbimeve.
Pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi mbeten mbështetje e fortë
Aktivitetet e pasurive të paluajtshme kontribuan me +0,50 pikë përqindje në rritjen ekonomike, ndërsa ndërtimi me +0,48 pikë përqindje, duke konfirmuar rolin e tyre si ndër sektorët më dinamikë të ekonomisë. Kontribute pozitive, por më të moderuara, u shënuan edhe nga informacioni dhe komunikacioni (+0,21), aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative (+0,15), artet, argëtimi dhe shërbimet e tjera (+0,08), si dhe aktivitetet financiare dhe të sigurimit (+0,01).
Sektorët prodhues në rënie
Në kahun e kundërt, industria, energjia dhe uji dhanë një kontribut negativ prej -0,48 pikë përqindje, ndërsa bujqësia, pyjet dhe peshkimi ulën rritjen me -0,26 pikë përqindje, duke reflektuar vështirësi strukturore dhe presione të vazhdueshme në këta sektorë. Ndërkohë, taksat neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0,76 pikë përqindje, duke forcuar ndikimin fiskal në rritjen e përgjithshme.
Rritje e fortë vjetore në sektorë të caktuar
Në terma vjetorë, rritjen më të lartë e shënoi administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 15,04%, e ndjekur nga pasuritë e paluajtshme me 10,55% dhe informacioni e komunikacioni me 10,40%. Ndërtimi u rrit me 4,75%, ndërsa tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 2,62%. Në të kundërt, industria, energjia dhe uji ranë me 4,75%, ndërsa bujqësia u tkurr me 1,73%.
Ecuria tremujore dhe komponentët e shpenzimeve
Treguesi i PBB-së i përshtatur sezonalisht shënoi një rritje prej 1,09% krahasuar me tremujorin paraardhës. Rritje të fortë tremujore regjistruan artet, argëtimi dhe shërbimet e tjera, aktivitetet financiare dhe të sigurimit, si dhe informacioni dhe komunikacioni. Ndërkohë, industria, energjia dhe uji, ndërtimi dhe bujqësia shënuan rënie. Nga këndvështrimi i shpenzimeve, rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga eksportet e mallrave dhe shërbimeve, të cilat u rritën me 12,55%, si dhe nga konsumi final i qeverisë me 7,72%. Investimet u rritën me 4,78%, ndërsa konsumi i popullatës shënoi një rritje më të moderuar prej 1,25%.
Nëntëmujori konfirmon varësinë nga shërbimet
Mesatarja e rritjes ekonomike për nëntëmujorin e vitit 2025 vlerësohet në 3,73%, duke konfirmuar një ecuri relativisht të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, por edhe një varësi të theksuar nga sektori i shërbimeve dhe shpenzimet publike, ndërkohë që sektorët prodhues vijojnë të mbeten nën presion.
Burimi: ekofin.al
Më të lexuarat






